Oda për të Rinj

Teatri ODA për të rinj

Aplikacionin mund t'a shkarkoni këtu

Teatri ODA pas një periudhe të gjatë të punës me dhe për të rinj ka filluar një fazë të re të punës dedikuar fëmijëve dhe të rinjve. Teatri ODA po organizon grupe të përhershme  me punëtori të rregullta javore të cilat do të prodhojnë shfaqjen në fund të sezonit përkatësisht në muajin qershor në Teatrin ODA në Prishtinë.

Kujt i dedikohet?

Grupet janë të dedikuara për fëmijë të moshës 8 deri 11 vjeç dhe 11 deri 14 vjeç. Dy grupet do të jetë të përbëra prej të gjitha moshave brenda këtyre kufizave. Puna që zhvillohet në grupe i dedikohet të gjithë fëmijëve pa përjashtim dhe pavarësisht talentit që ata mund të kenë për arte skenike apo arte tjera. Përmes lojërave teatrore që praktikohen fëmijët duke punuar bashkërisht zhvillojnë aftësi të reja sociale e psikologjike, zhvillojnë shumë edhe kreativitetin, aftësitë për zgjidhje problemesh, aftësitë komunikuese, forcim të vetëbesimit dhe mbi të gjitha kalojnë nëpër një eksperiencë të këndshme grupore dhe përvojë ekzaltuese të shfaqjes para publikut.

Ku dhe kur?

Grupet fillojnë punën në nëntor dhe përfundojnë në javën e fundit të qershorit kur edhe parashihet shfaqja e grupit. Punëtoritë mbahen rregullisht çdo javë sipas këtij orari:

Grupmosha 8-11 vjeç: Gjithsej 5 takime gjatë muajit. Të hënave dhe të enjten e parë të muajit prej orës 11 - 12:30 (me një pauzë të vogël mes dy sesioneve)

Grupmosha 11-14 vjeç: Gjithsej 6 takime gjatë muajit. Të hënave dhe të enjten e parë dhe të fundit të muajit prej orës 14 - 15:30 (me një pauzë të vogël mes dy sesioneve).

Grupet do të punojnë në hapësirat e Teatrit ODA, Pallati i Rinisë, 111, Prishtinë (hyrja prej parkingut nga ana e Stadiumit të qytetit). Grupet do të udhëhiqen nga profesionistë të kësaj fushe: Ilire Vinca Çelaj dhe Florent Mehmeti me ndihmën e Genta Retkocerit dhe Vjosa Malokajt.

Çka dhe si punohet në grupe?

Puna e grupeve është e konceptuar si kohë e fëmijëve të cilën ata e kalojnë si lojë e përfitimet janë shumë të mëdha. Përderisa pjesëmarrja në grup është një eksperiencë e lojës grupore shumë të këndshme nuk përjetohet si punë. Kjo e bën përvojën e fëmijëve me përfitime të shumëfishta. Teknikat që përdoren janë teknikat e lojërave të teatrit të cilat janë të kartegorizuara sipas rezultatit. Lojërat të caktuara zhvillojnë aftësi të caktuara. Puna e grupeve është e drejtuar dhe e konceptuar shumë më shumë në proces sesa në rezultatin final, shfaqjen e prodhuar nga grupi. Shfaqja e prodhuar nga grupi në fund është më shumë një prezantim i të arriturave të fëmijëve dhe grupit në tërësi.

Kjo përvojë është me të vërtetë unike për fëmijët. Në vend se t'i ngjasojë një krijimi artistik të formës klasike që shumë shpesh si proces është tepër i rëndë e i ndërlikuar edhe për profesionistë me shumë përvojë, është më shumë një përvojë që për fokus ka secilin fëmijë individualisht duke e udhëhequr atë drejt zhvillimit të tij apo saj si personalitet që ka siguri më të madhe kur shprehet, kur prezanton diçka para publikut apo arsimtarit, që përforcon qëndrimet dhe mendimet e tij personale, krijon shoqëri më lehtë, është më kreativ në zgjidhje problemesh dhe në përgjithësi është më i ndërtuar si personalitet.

Sa herë kemi menduar ne si prindër se cka duhet t'ju ofrojmë fëmijeve që të zhvillohen sa më mirë e të bëhen të gatshëm për jetën? Sa herë i kemi bërë pyetje vetes si të komunikojmë me ta, si të zgjidhim problemet e më të dashurve, si të futemi në botën e tyre e t'i kuptojmë më mirë, si të rrisim vetëbesimin e tyre, si t'i socializojmë, ashtu që ata të duan veten, rrethin dhe të ndjehen te vlefshëm?

Bota e fëmijëve e mbushur me fantazi e me imagjinatë do ketë më në fund mundesi te shfaqet , larg obligimeve , larg detyrave, larg çdo ngarkese nëpër të cilën kalojnë në përditshmëri. Krijimi i një ambienti të tillë, ku ideja e secilit çmohet, ku mendimi nuk pragjykohet dhe përfshirja e secilit në mënyrë të barabartë do të ndikojë te fëmija në menyrë fantastike.

Fëmijët që kanë probleme të koncentrimit në mësim, që janë të mbyllur, që kanë vetbesim të luhatur, që vështirë shoqërohen apo edhe probleme tjera të aspekteve shoqërore e psikologjike janë të inkurajuar veçnërisht që të marrin pjesë për përfitime të shumta dhe bukur të shpejta.

Grupi i krijuar në sesionet e para do të emërtojë grupin me një emër që do të jetë i afërt për të gjithë dhe do të vazhdojë punën me atë emër. Përderisa është me rëndësi procesi dhe përvoja përmes sesioneve do të identifikohet edhe tema apo temat që grupi dëshiroj t'i trajtojë në shfaqjen që do të prodhohet. Kjo mënyrë, edhepse jo e lehtë derisa të arrihet kompaktësia e grupit, sjell një benefit shumë të madh, i jep një hapësirë fëmijëve të shprehin publikisht dhe në formë interesante artistike preokupimet e tyre dhe ndjenja e pronësisë së shfaqjes në fund është shumë e fortë dhe shumë nxitëse për secilin fëmijë. Përderisa gjatë gjithë vitit shkollor punohet në ndërtimin e shfaqjes, do të përgatiten edhe prezantime publike të shkurtëra në disa faza të punës. Grupi do të paraqes prezantime 5-15 minutëshe para prindërve dhe të ftuarve të tjerë përafërsisht pas çdo 2-3 muaj të punës.

Kjo metodologji e punës e veçantë dhe unike, sidomos në Kosovë, ofrohet nga Teatri ODA për fëmijët bazuar në trajnime e ekspertizë të edukatorëve të përfituara nga bashkëpunimi me Nottingham Playhouse të Britanisë së madhe në bashkëpunim me Këshillin Britanik (Bruitish Council) si dhe përvoja tashmë e punës me shumë grupeve të rinjve që kanë kaluar përvoja të tilla në Teatrin ODA si dhe me 20 klube teatrore me gjithsej 400 fëmijë nëpër shkollat fillore të Kosovës të cilat i ka themeluar Teatri ODA.

Si të regjistroheni?

Për të siguruar pjesëmarrjen tuaj në Grupet e Përhershme për Fëmijë të Teatrit ODA, ju duhet të mbushni formën dhe dërgojeni në email: [email protected] dhe [email protected] apo fizikisht në Teatrin ODA, Pallati i Rinisë, 111, Prishtinë çdo ditë pune prej orës 08:00 deri 23:00.

Pjesëmarrja në grupe është me pagesë.

Pagesa për grupmoshën 8-11 vjeç për 1 (një) muaj për gjithsej 10 sesione që mbahen për 5 ditë të muajit është 24 euro.

Pagesa për grupmoshën 11-14 vjeç për 1 (një) muaj për gjithsej 12 sesione që mbahen për 6 ditë të muajit është 30 euro.

Për pjesëmarrësit që duan ta paguajnë të gjithë sezonin (8 muaj: Nëntor2014 - Qershor2015) aplikohet 20% lirim dhe pagesa për muaj për grupmoshën 8-11 vjeç është 19 euro, përkatësisht grupmoshën 11-14 vjeç 24 euro.

Për fëmijët e të njëjtës familje, për fëmijën e dytë aplikohet 20% zbritje dhe fëmijën e tretë 30% zbritje.

Për fëmijët që dëshirojnë të marrin pjesë por për shkak të gjendjes sociale nuk janë në mundësi të paguajnë, prindërit duhet të kontaktojnë Valon Ibraj në Teatrin ODA për të sjellë dëshmitë e gjendjes sociale.

Çështje tjera që duhet t’i dini

· Grupet e Përhershme për Fëmijë të Teatrit ODA nuk janë për ata që janë nën moshën 8 vjeçare apo më të vjetër se 14 vjeç. Për këto grupmosha do të ketë në të ardhmen grupe të tjera për të cilat do t’ju informojmë me kohë.

· Neve na duhet të kemi pajtim me shkrim për pjesëmarrje nga prindërit apo kujdestari për të fëmijët. Forma e pajtimit të prindit/kujdestarit mund të merret në Teatrin ODA (fizikisht apo përmes emailit) dhe ajo duhet të kthehet e plotësuar dhe e nënshkruar para fillimit të pjesëmarrjes.

· Nëse përzgjidheni si anëtar i grupit ju duhet gjithsesi të jeni të lirë të merrni pjesë në të gjitha sesionet e Grupit gjatë gjithë kohës si dhe për shfaqjen finale. Kërkesa për të qenë prezent gjatë gjitha sesioneve është e domosdoshme për shkak të natyrës së punës e cila kërkon pjesëmarrje të vazhdueshme.

· Grupet e Përhershme për Fëmijë të Teatrit ODA do të jenë një eksperiencë unike dhe mjaft argëtuese, por gjithashtu është edhe sfiduese. Ne presim një angazhim të lartë, pjesëmarrje të rregullt dhe të plotë, respektim me përpikëri të orarit dhe sjellje të pranueshme. Pjesëmarrësit që nuk i përmbahen këtyre kritereve mund të përjashtohen nga grupi.

· Nga ju mund të kërkohet që të bëni detyra përgatitore për sesionin e radhës nga udhëheqësit e sesioneve, siç mund të jetë mësimi përmendësh i tekstit apo gjetja e ndonjë pike muzikore, materiali, kostumi apo rekuizite që duhet të sillni në sesionin e ardhshëm. Meqenëse sesionet kërkojnë angazhim si psiqik ashtu edhe fizik ju këshillojmë që të mos planifikoni aktivitete tjera kohësisht afër sesioneve në mënyrë që të shmanget stërlodhja gjatë punës.

· Nëse keni nevoja speciale, ndonjë aftësi të kufizuar apo probleme shëndetësore që kërkojnë vëmendje gjatë kohës sa jeni në grup ju lutem kontaktoni Valon Ibraj në Teatrin ODA para fillimit të grupeve në telefonin 045 748 748 apo 038 246 555.

Dhe gjithsesi ...

Për ata që tregojnë përkushtim e angazhim të lartë, ne do t’i përzgjedhim për grupe tjera që do të organizojmë në Teatrin ODA në të ardhmen që përfshijnë edhe grupe që potencialisht mund të prodhojnë shfaqje teatrore apo edhe të marrin pjesë në shfaqje profesioniste të prodhuara nga Teatri ODA. Vetë pjesëmarrja në Grupet e Përhershme për Fëmijë te Teatrit ODA nuk e garanton seleksionimin, por e jep mundësinë për një përzgjedhje të tillë në të ardhmen.

Grupet e Përhershme për Fëmijë të Teatrit ODA organizohet nga vet Teatri ODA me mundësitë dhe resurset vetanake.

Kontaktet

Për më shumë informacione ju mund të kontaktoni:

Valon Ibraj dhe Bardha Çelaj,

Teatri ODA,

Pallati i Rinisë, 111,

10030 Prishtinë,

KOSOVË

TEL: 038 246 555 / 045 748 748

Email: [email protected], [email protected], [email protected]

www.teatrioda.com

https://www.facebook.com/groups/teatrioda/
https://twitter.com/teatrioda

 

 

Këtë javë në ODA

E hëne

E martë

E mërkurë

E enjte

E premte

E shtunë

E diel

Ngjarjet e Ardhshme

01.04.2024

E hëne

02.04.2024

E martë

03.04.2024

E mërkurë

04.04.2024

E enjte

05.04.2024

E premte

06.04.2024

E shtunë

07.04.2024

E diel

ODA përkrahet nga